Artikujt

Biznesi i ndërtimit në sytë e një biznesmeni shqiptar - Nga Artan Semini



Biznesmeni shqiptar ARTAN SEMINI: Quhem Artan Semini dhe jam administratori dhe aksioneri kryesor i  LOAR Shpk me seli në Durrës, e themeluar në 1999, një shoqëri shqiptare që merret me ndërtimin dhe shitjen e pronave rezidenciale në qytetin dhe bregdetin e Durrësit me një xhiro të përgjithëshme prej 8 milionë USD. I lindur në 1973, u diplomova si Inxhinjer për Ndërtime Civile dhe Industriale pranë Universitetit Politeknik të Tiranës në 1997. Në vitin 2000 u martova me kolegen time Lorena Totoni (ajo është inxhinjere hidroteknike) dhe kemi dy fëmijë të mrekullueshëm Marinin 8 vjeç dhe Julin 3. Hobi im kryesor është menaxhimi i restoranteve; jam bashkëpronar i një prej Bar-Restoranteve dhe Klubeve më të mëdha në zonën e Bllokut në Tiranë, atij me emrin  ” Metropolitan”.

E-M-I: Pra karriera juaj profesionale ka filluar si ...?

Biznesmeni shqiptar ARTAN SEMINI: Pas diplomimit dhe para se të ngrija firmën time, kam punuar si inxhinjer zbatues pranë një kompanie private ndërtimi dhe më vonë si nëndrejtor i Njësisë së Zbatimit të Bankës Botërore për ndërtimin e rrjetit shpërndarës të ujësjellësit të qytetit të Durrësit. Pas themelimit të LOAR Shpk, nuk u shkëputa tërësisht nga angazhimi im publik, duke marrë pjesë dhe kontribuar në disa borde dhe këshilla shtetërore si për planifikimin dhe rregullimin e territorit, kthimin e kompensimin e pronave etj.

E-M-I: Duke u kthyer tek çështja kryesore për të cilën do të flasim, sipas jush, si është gjendja e ekonomisë sonë dhe si reflektohet kjo tek krahu i punës në Shqipëri? Cili është opinioni juaj, cila është ecuria e biznesit tuaj privat gjatë 2 - 3 viteve të fundit? Numri i punëtorëve tuaj është rritur,  zvogeluar, apo ka ndenjur në vend?

Biznesmeni shqiptar ARTAN SEMINI: Kriza ekonomike që i pati fillesat e saj në Amerikë dhe Europë u përhap me shpejtësi në Shqipëri që në vitin 2008 dhe sidomos gjatë vitit 2009. Sektori kryesor që i vuajti dhe ende i vuan pasojat e saj është sektori i pronave të patundshme dhe për rrjedhojë edhe sektori i ndërtimit.  
Aktualisht kompania ime është fokusuar në shitjen e ndërtimeve të përfunduara më parë. Kjo është aresyeja se përse numri i të punësuarve tanë është i kufizuar (10 të punësuar me kohë të plotë). Por edhe gjatë 10 viteve të mëparshem ne kemi mbajtur një numur të kufizuar punonjësish, që nuk ka qenë asnjëherë më i madh se dyfishi i numrit aktual për shkak se të gjitha llojet e operacioneve dhe shërbimeve të ofruara nga kompania kryheshin nëpërmjet procedurave me nënkontraktim. Me pak fjalë kjo përbënte atë që do ta konsideroja strategjia jonë e burimeve njerëzore.

E-M-I: Pra, ju po thoni se aktualisht nuk po ndërtoni më dhe po shisni çfarë keni ndërtuar më parë, si është gjendja e tregut të shitjeve? Dhe, si subjekt i drejtpërdrejtë i efekteve të krizës jashtë Shqipërisë, cilat mendoni se janë aresyet?

Biznesmeni shqiptar ARTAN SEMINI: Nga përvoja ime si pronar i një kompanie që merret me ndërtimin dhe shitjen e pronave rezidenciale në zona turistike, do të përpiqem të jap disa shpjegime në lidhje me shkaqet dhe pasojat e krizës që goditi rëndë sektorin e sipërpërmendur.

 

  1. Rënia e blerjeve nga ana e emigrantëve shqiptarë dhe qytetarëve nga Kosova dhe Maqedonia që përbënin pjesën kryesore të klientëve tanë të periudhës së para-krizës për shkak të rënies së të ardhurave të tyre në vendet respektive.
  2. Frika e pasojave të krizës tek blerësit potencialë shqiptarë që shkaktoi ngurrimin e tyre për të shpenzuar për prona luksi (si rasti i një shtëpije të dytë në bregdet).
  3. Interesat shumë të larta bankare që u ngritën afërsisht nga  10 ne 14 %.
  4. Tregu i ulët i qerave të shtëpive për turizmin familjar që solli një interes të pakët nga ana e blerësve të tyre.


E-M-I: Nuk e di nëse i keni kaluar pushimet e verës në Shqipëri, por m'u duk se sivjet ishte Saranda kantieri më i madh i ndërtimit, në 6 muajt e fundit është investuar shumë në sektorin e ndërtimit, në fakt tepër, beton mbi beton. Në zonën që permendni, në Durrës dhe Tiranë, sektori i ndërtimit ose nuk punon ose është në pritje për momentin. A ka sjellë kjo ndonjë lëvizje qofte gjeografike drejt zonave ku akoma ndertohet, qofte brenda industrise për punëtorët që punojnë me nënkontraktim që përmendni më sipër? Si e fitojnë ata jetesën?

Biznesmeni shqiptar ARTAN SEMINI: Rënia e shitjeve në sektorin e ndërtimeve të reja na ka detyruar  të përqëndrohemi vetëm tek shitja e ndërtimeve të përfunduara prej kohësh, për rrjedhojë është  rritur në shkallën maksimale kujdesi në përzgjedhjen e investimeve të reja në sektorin e ndërtimit gjë që ka shkaktuar uljen e tyre dramatike.

Kjo gjendje ka sjellë transferimin e krizës së sektorit të ndërtimit edhe në sektorët e lidhura ngushtësisht me të si industria e materialeve të ndërtimit dhe tregu i punës së punëtorëve të ndërtimit. Shumë punonjës të këtij sektori si muratorë, elektriçistë, hidraulikë, marangozë etj. ose kanë humbur punën ose janë duke përjetuar një rënie drastike të saj dhe për rrjedhojë të të ardhurave të tyre.   

Gjithashtu, kriza në sektorin e ndërtimit ka prekur dukshëm edhe financat publike meqënëse ky sektor është kontribuesi kryesor i tyre, duke shkaktuar varfërimin  e bizneseve të ndërtimit, sektoreve të lidhura me to, punëtorëve të ndërtimit si edhe të financave publike.

E-M-I: Si  biznesmen, a mendoni se ka shpresa që sektori i ndërtimit të lulëzojë përsëri?  Në fakt  ky sektor ishte ai që përthithte një pjesë të madhe të forcës së punës në Shqipëri.

Biznesmeni shqiptar ARTAN SEMINI: Zgjidhja, sipas mendimit tim, qëndron tek shërimi nga kriza i ekonomive të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjë që do të ndikojë pozitivisht edhe tek ekonomia jonë, tek rritja e investimeve publike jo vetëm në infrastrukturë por edhe shëndetësi, arsim, punësim dhe zhvillim rajonal.

Gjithsesi, nuk ka më dyshim se moment i bumit në sektorin e ndërtimit ka kaluar dhe nuk do të përsëritet më.  Krizës do t’i rezistojnë vetëm kompanitë më të fuqishme profesionalisht dhe financiarisht, por gjithmonë duke u fokusuar tek cilësia e ndërtimeve dhe jo me tek sasia.

Bio Artan Semini

Lexo në anglisht United-Kingdom-flag

Shto koment


Hd Film izle Film izle Dizi izle Online Film izle Linux Vps hosting